Sunday, July 15, 2012

Noizy: Jemi pajtuar me BabaStars


Reperi nga Shqipëria dhe lideri i ‘labelit’ OTR, Noizy, ka konfirmuar në një intervistë ekskluzive për Telegrafin se janë pajtuar me ‘labelin’ rival, BabaStars.

OTR dhe BabaStars ishin përfshirë në një konflikt fizik para disa muajsh në aeroportin e Zurichut dhe më pas ky konflikt ishte zhvendosur edhe në anën muzikore, ndërsa ishin përhapur spekulime se pikërisht rivalët e përbetuar kanë arritur marrëveshje ‘armëpushimi’, të cilat i ka konfirmuar vet lideri i OTR ekskluzivisht për Telegrafin.
“Kanë dërguar njerëz në emër të tyre për të qetësuar gjërat dhe janë njerëz me shumë respekt në Prishtinë dhe Kosovë. Më kanë kërkuar që të mos i prek, dhe ua kam dhënë fjalën dhe besën që unë personalisht nuk i prek më dhe me këngë nuk i shaj më, kurrë”.
“Gjithashtu, kemi rënë dakort që në momentin që do të ketë një provokim të vogël nga ata, që është e dukshme që është për mua, gjërat do të përkeqësohen më shumë se që janë aktualisht. Njerëzit që erdhën të më takonin në emër të tyre më dhanë fjalën dhe besën e shqiptarit që nëse ata do të provokojnë me gjëra më të vogla, atëherë ata s’do të kenë punë me mua, por me njerëzit që hynë mik për të sqaruar gjërat”.
“Ka ardhur koha për muzikë të bukur, art dhe lumturi, prandaj unë personalisht mendova që kjo është zgjidhja e duhur. Mbi të gjitha, jemi shqiptarë, një komb dhe këto zënka duhet të kenë një stop, sa më herët para se të shkojë aty ku shumë njerëz do pendoheshin për gjërat që kanë ndodhur. Gabimet janë njerëzore, Zoti fal”, ka theksuar Noizy sa i përket konfliktit me BabaStars.


Më tej i pyetur nga Telegrafi se si e ka pritur progresin e madh të këngëve të tij në YouTube, ai ishte optimist edhe për të ardhmen.
“Për momentin janë vetëm nga dy milionë, flasim mbas një muaji”, shtoi ai.
Dhe, në fund lideri i OTR ekskluzivisht zbuloi për Telegrafin titullin e këngës së tij të re, “Rude Boy”, që lansohet të dielën, pikërisht në ditën kur një rival tjetër, Unikkatili, mban koncertin e tij të madh në Prishtinë.
“Vetëm për Telegrafin, kënga e radhës quhet ‘Rude Boy’, ndërsa lansohet nesër (e dielë) më 15 korrik. OTR for Life”, përfundoi ai. /Telegrafi/