Saturday, June 23, 2012

Lidhja e pamundur, helmohen dy te rinjte



Një ngjarje e rrallë vuri në rrezik jetën e dy të rinjve që kishin një marrëdhënie të fshehtë jashtëmartesore në Durrës. Djali 21-vjeçar, i martuar herët dhe madje baba i një fëmije, piu lëndë helmuese, fostoksinë pasi të afërmit e vajzës 24-vjeçare refuzuan lidhjen e tyre. Kjo e fundit, pasi konstatoi se i dashuri i saj kishte pirë fostoksinë, tentoi ta ndihmonte atë me frymëmarrje artificiale. Por, ajo përfundoi në spital e helmuar bashkë me të riun, me inicialet G.N. “Rreth orës 15:00 të së mërkurës, shtetasi G.N. ka pirë një sasi pluhuri që dyshohet të jetë lëndë helmuese e llojit fostoksinë. Shtetasja D.B., e cila ka tentuar t’i japë ndihmën e parë duke i bërë frymëmarrje artificiale, ka mbetur gjithashtu e dëmtuar. Të dy këta persona ndodhen nën trajtim mjekësor në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën”, bëri të ditur Policia. Mësohet se 21- vjeçari me origjinë nga Tropoja ishte njohur me anë të telefonit me 24-vjeçaren nga Hasi, e cila ishte divorcuar nga i shoqi disa kohë më parë. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore nga helmimi me fostoksinë, grupi hetimor nuk ka arritur të marrë shumë të dhëna nga dëshmitë e tyre në spital, për të ndërtuar edhe skemën e ngjarjes. Por paraprakisht, bazuar në dëshmitë e tyre, është mësuar se ata ishin njohur disa kohë më parë. Ende nuk dihet se në ç’rrethana janë takuar në Durrës. 21-vjeçari ka deklaruar se kishte ardhur nga Tropoja rreth 2 javë më parë dhe banonte në një banesë me qira në lagjen Nr.14, por nuk ka të dhëna nëse ishte shpërngulur i vetëm apo me familjen e tij. Ai ka shkuar dhe i ka kërkuar dorën vajzës me origjinë nga Hasi, por familja e saj e ka refuzuar kërkesën. Nuk konfirmohet nëse refuzimi ishte rrjedhojë e faktit se i riu ishte i martuar dhe me fëmijë apo për shkaqe të tjera. Duke menduar se lidhja kishte marrë fund, ai ka tentuar t’i japë fund jetës, duke pirë fostoksinë. Dyshohet se në banesën e tij me qira është ndodhur edhe e dashura, e cila në tentativë për t’i shpëtuar jetën me frymëmarrje artificiale, përfundoi edhe vetë në spital e helmuar.

Burimi: Gazeta Panorama